Vetëm pak ditë pasi vendi konstatoi rastin e parë të Koronavirusit, shkencëtarët në Brazil kanë zbërthyer sekuencat e ADN-së së virusit për ta kuptuar më mirë atë dhe për të ndalur epideminë.
Puna investigative u krye në një laborator në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Sao Paolos, në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit. Shkencëtarët thonë se puna e mëparshme mbi virusin Zika bëri që ekspertët të lëviznin me shpejtësi.
“Sa më shpejt të gjenerojmë një sekuencë të dy viruseve që përhapen me shpejtësi, aq më shpejt do të mund të sigurojmë informacione mbi këtë virus dhe t’u japim përgjigje shërbimeve shëndetësore. Ne ishim në gjendje të thoshim që virusi ishte i transmetueshëm apo nëse po pëson mutacione mes njerëzve. Kjo është e rëndësishme për shërbimet shëndetësore, që të përgatiten për epideminë”, u shpreh Jaqueline de Jesus, shkencëtare në Universitetin e Sao Paolos.
Me hartën e ADN-së, shkencëtarët shpresojnë se do të mund të monitorojnë më mirë virusin dhe të përshpejtojnë hapat për gjetjen e vaksinës.
“Ne kemi studiuar epideminë e Zikës në katër vitet e fundit, për të gjetur mënyrën e hartimit të ADN-së së viruseve. Ajo që bëmë ishte zhvillimi i një teknologjie që ishte e shpejtë, me kosto të ulët dhe që mund të përdorej në shkallë të gjerë gjatë një epidemie”, theksoi shkencëtarja Ester Sabino.
Në fundjavë, Ministria e Shëndetësisë në Brazil konfirmoi rastin e dytë të infektimit në vend.
Aktualisht në rang global llogariten 85 mijë e 403 raste, saktësoi ministria, duke cituar të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ndërkohë, epidemia që nisi në Kinë ka vrarë thuajse 3 mijë persona në mbarë botën.